Telegrafi

Musliu: “Postierët shqiptarë” të Beogradit i sollën “Octopusit” dokumente me qëllim dëmtimin e Kosovës

Eksperti i çështjeve të sigurisë dhe drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka thënë se në adresën e tij dhe të institutit që ai drejton në dy raste janë dërguar dezinformata nga shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Musliu ka thënë se dokumentet që janë i adresuar kanë qenë në gjuhën serbe dhe qëllim të dëmtimit të Kosovës.

“Më lejoni t’ju informoj se, këto ditë në adresë timen dhe të institutit Octopus, janë mësyrë në dy raste të ndryshme dezinformata, që me siguri, burimin e kanë në Beogradin zyrtar dhe shërbimet e tyre të inteligjencës”, ka thënë Musliu përmes një video-adresimi në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai thotë se “’postierë shqiptarë’ kanë provuar që të sjellin në institutin tonë, me qëllim publikimi, të ashtuquajtura dokumente komprometuese për figura tona të rëndësishme”.

“Dokumentet kanë qenë në gjuhën serbe dhe te shkruara me tendencë, ku shihet dukshëm qëllimi i dëmtimit të Kosovës. Normalisht që ne në institutin OCTOPUS e njohim edhe qëllimin edhe metodën e operimit të serbëve nga Beogradi, dhe nuk mund të biem pre e këtyre mashtrimeve, por jemi shqetësuar sepse kemi të dhëna se ‘postierët shqiptarë’ të Beogradit po provojnë që materiale të tilla t’ua shpërndajnë adresave të tjera, si në media, ashtu edhe te disa organizata”, thotë ai.

Musliu thotë se “Instituti OCTOPUS do të përpiqet që në radhë të parë, të kontribuojë për sigurinë dhe do ta ruajë integritetin profesional, e më vonë do të kujdesemi për të ashtuquajturën ’Liri e shprehjes’, përmes së cilës shpesh përhapet municion propagandistik!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/