Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës, ka thënë se është çështje orësh heqja e tyre.
Musliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pas infiltrimit rus në barrikadat e kriminelëve në veri, po e ndjej se Beogradi po dridhet”.
“Barrikadat po dridhen! S’besoj se do të jenë aty edhe shumë kohë – çështje orësh!? Ndoshta?!”, ka shkruar ai.
Ndryshe, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se presidenti serb mendon se duhet të hiqen barrikadat në veri të Kosovës.
Ndërsa, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.
Mbase, për ta përligjur heqjen e barrikadave, Rakiq ka ftuar presidentin serb, që sonte t’i takojë serbët lokalë në Rashkë. /Telegrafi/