Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se ajo që është arritur në Washington më 4 shtator nuk është marrëveshje.
Musliu ka thënë se disa nga pikat e asaj marrëveshje mund të hapin tema të rrezikshme për shtetin e Kosovës.
“Nuk është marrëveshje, edhe pse qeveria po e quan të tillë. Por kjo më së paku është marrëveshje ekonomike, është më shumë politike. Disa nga pikat aty mund të hapin tema të rëndësishme dhe të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe po të ishte marrëveshje ndërkombëtare do të duhej të ratifikohej në Kuvend”, ka thënë Musliu.
Tutje ajo ka thënë se ajo që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë është dokument ku Kosova dhe Serbia janë zotuar para presidentit Trump që do t’iu përmbahen atyre zotimeve.
“Nëse është marrëveshje, atëherë çfarë do të duhej aty që të ishte feja, Ujmani, Hezbollahu, moratoriumi, etj. Kosova ka bërë lëshime të mëdha në atë takim, duke e lëshuar njohjen reciproke. Me vetë faktin që është hequr njohja nga aty, është lëshim i madh”, ka theksuar tutje ajo në rtk.
Duke folur për njohjen dhe se a është pritur kjo që të ndodh më 4 shtator, Musliu ka thënë se ata kanë pritur njohje pasi që këtë e ka thënë kryeministri Hoti.
Ndërkaq, angazhimin e SHBA-ve e ka vlerësuar si pozitive.