Telegrafi

Musliu: Paviçeviqi duhet menjëherë të arrestohet dhe të sillet para gjyqit

Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Stevan Paviçeviqit, shefit të organizatës së shpallur terroriste “Civilna Zastita”.

Një dokument që përfshin Paviçeviqin është gjetur në automjetin Audi A6, përplot me arsenal armësh, e cila është kapur nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës në Zveçan, më 23 qershor 2023.

Lexo po ashtu Stevan Paviçeviq, udhëheqës i “Mbrojtjes Civile” i përfshirë në automjetin e Serbisë që u kap me armatim

E Musliu ka thënë se në Kosovë duhet ta kuptojnë të gjithë se janë të pranishme të gjitha strukturat e sigurisë së Serbisë, por ato janë të maskuara.

“Serbia nuk është kaq budallaqe që ta dërgojë Ushtrinë në Kosovë. mirëpo, kjo nuk do të thotë që nuk ka njerëz të profilit ushtarak këtu. Asnjëherë nuk e ka angazhuar ushtrinë as në Kroaci e Bosnje, por serbët lokalë i ka furnizuar me armë, para e, mbi të gjitha, urdhra e detyra”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në Kosovë, duhet ta kuptojnë të gjithë se, janë të pranishme të gjitha strukturat e sigurisë së Serbisë, por ato janë të maskuara. Si ky rasti i fundit, kur vetura full municion, qenka e Hekurudhave te Serbisë apo që më vonë ia ka fal komunës ilegale të Istogut. Ani pse me targa të Beogradit”.

Sipas tij, vetura është përdorur për sulme terroriste, nga “vet terroristi i strukturës së të ashtuquajturës Civilna Zastita”.

“Pluuuus, bashkëpunëtor i qendrës së inteligjencës ruse GRU, në Nish. Ky farë Paviçeviqi duhet menjëherë të arrestohet dhe të sillet para gjyqit”, ka përfunduar Musliu. /Telegrafi/