Site icon Telegrafi

Musliu: I pari që më vendosi prangat ishte UDB-ashi Januz Loshi, ndërsa Faruk Mehmeti më mori në pyetje

Ish i burgosuri politik, Murat Musliu ka rrëfyer momentin e arrestimit në fshatin Likovc më 7 korrik 1981 nën dyshimin si organizator i demonstratave të 11, 26 marsit dhe 1 e 2 prillit në Prishtinë.

Ai thotë se lagjja ishte e rrethuar nga një numër të madh policësh dhe se bashkëfshatari i tij e kishte identifikuar atë në mënyrë të pasinqertë.

Por, Musliu ka thënë se për shkak të afërsisë që ka me bashkëfshatarin i cili tash nuk jeton më nuk do donte t’ia përmendte emrin.

“Isha në fshatin Likovc, në vendlindje, mëngjesin e hershëm të 7 korrikut, lagjja ishte rrethuar nga policët [ai beson se ishin me qindra polic të angazhuar në atë aksion] dhe më kanë marrë e më kanë dërgu për në Mitrovicë. Unë vet e kam hap derën, aq ma keq një bashkëfshatar i imi ka thënë serbisht, ‘ky është’”, ka rrëfyer Musliu.

Ai ka thënë se në të njëjtën ditë në të njëjtin aksion ishin zhvilluar kërkime për burgosjen e edhe të Milaim Zekës, por ai nuk ka qëlluar në shtëpi dhe nuk është arrestuar më.

Musliu tregon se personi i parë që i vendosi prangat ishte Januz Loshi.

“Personi i parë që mi ka vendosur prangat ka qenë Januz Loshi, Skenderaj, UDB-ash”, ka vijuar ai.

Sipas Musliut, Loshi nuk e kishte torturuar dhe se nuk ka qenë në dijeni për detajet se për çka po arrestohej.

Ai ka thënë se pas luftës është takuar me Januz Loshin në një të pame në odën e tij.

“Jam takuar, në odën e tij, në një të pame morti”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pas transferimit të tij në Mitrovicë, u mor në pyetje nga Faruk Mehmeti, UDB-ash për të cilin tha se kishte një sjellje “pothuajse korrekte”.

“E në Mitrovicë tjetër muhabet…Faruk Mehmeti ka qenë kryeshef i Sigurimit Shtetëror për regjionin e Mitrovicës. I pari më ka marrë në pyetje ai, dhe më ka thënë “ne nuk dimë për çka ke ardh ti, por tash vinë prej Prishtine’, sjellja e tij me thanë ka qen korrekte”, ka vijuar ai.

Ai thotë se u torturua në burgun e Leskofcit nga Asllan Sllamniku, që sipas tij ishte më i tmerrshmi nga të gjithë.

“Kanë ardhur prej Prishtinë, Asllan Sllamniku [ka qenë përgjegjës për grupin tonë] me neve ka pas punë ky”. Sllmaniku ishte më i tmerrshmi nga të gjithë. Sllamniku ishte i shoqëruar edhe nga dy të tjerë, njëri nga Republika e Serbisë e tjetri nga ‘federata” por nga Bosnja”, ka treguar ai./TV Dukagjini/

Exit mobile version