Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme buron nga qytetarët të cilët e shohin çdo ditë se Lëvizja Vetëvendosje po e skandalizon shtetin.
Deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu, thotë për KosovaPress se veprimet e kryeministrit Albin Kurti në veri janë skandal, ndërsa shton se ai po punon për të shtuar sanskionet dhe jo për t’i larguar ato.
“Duke pas parasysh që nga java në javë, po kalojmë nga skandali në skandal, dhe duke e parë disponimin qytetarë, se në fakt nuk po kërkon Partia Demokratike zgjedhje, zgjedhje po kërkojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, e mbi të gjitha po kërkojnë jo vetëm zgjedhje por edhe zgjidhje.
Po kërkojnë zgjedhje të reja për një qeveri të re, ndërsa po kërkojnë zgjidhje për shumë probleme me të cilat ata po ballafaqohen çdo ditë. Kjo Qeveri ka humbur kredibilitetin e saj, për të qeverisur me vendin, është mëkat shumë i madh një qeveri e cila ka ardh në pushtet me një fuqi kaq të madhe politike ta skandalizojë shtetin deri në këtë formë dhe deri në këto rrethana.
Thashë edhe një herë, që vet fakti java nuk po e pret përfundimin e javës, skandali i ri në këtë qeverisje, dhe ti në çdo ditë në çdo moment pret se çka po plas diçka tjetër. Kjo Qeveri nuk ka kredibilitet të qeverisë me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe me vendin në përgjithësi”, deklaroi Musliu.
Dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, me energjinë elektrike, arrestimi i një aktivisti të LVV-së në Tiranë me drogë, incizimet mes shefes së GP të kësaj partie me akterë të Listës Serbe, e njohur si afera “Zdravo”, janë vetëm disa të paraqitura në një baner të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Të them të drejtën, tashmë nuk ka themel e kulm të skandaleve të Albin Kurtit, shtrirja e skandaleve po shkon në mënyrë horizontale, domethënë ka metastazu në çdo pore të shtetit. Duke pas parasysh që skandalet e një pas njëshme i pranon vetë Albin Kurti me aq inferioritet, edhe me aq arrogancë, kjo tregon që kemi mu ballafaqu edhe me skandale të tjera dhe duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë që vjen në këtë vend. Ata as nuk kanë dije, as nuk kanë përvojë në menaxhimin e shtetit dhe mbi të gjitha po dëshmohen që as nuk kanë turp për veprat që i bëjnë”, tha Musliu.
Partitë opozitare parlamentare si PDK, LDK dhe AAK janë kritikuar se nuk kanë koordinim për të kundërshtuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Mirëpo, Musliu thotë se PDK ka parandaluar shumë të këqija për vendin duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese ndërsa thotë se nuk do të jetë destrkutive as në rrëzimin e Qeverisë.
“Unë nuk flas në emër të opozitës, unë flas si deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe konsideroj që Partia Demokratike e Kosovës është duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve të vendit.
Ju e keni pa, shumë iniciativa të dëmshme ligjore i kemi penguar përmes Gjykatës Kushtetuese dhe shumë vendime të dëmshme për Kosovën i kemi penguar përmes Gjykatës Kushtetuese. Kemi marrë shumë iniciativa parlamentare dhe e kemi bërë punën tonë si opozitë, për çka edhe jemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë mendoj që Partia Demokratike asnjëherë nuk ka qenë destruktive në asnjë proces dhe nuk do të jetë destruktive as në procesin për rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Musliu.
Skandal e vlerëson edhe mënyrën si pretendon Qeveria për të shkuar në zgjedhje të reja për kryetarë në katër komunat veriore.
Musliu thotë për KosovaPress se përmes peticionit, Kurti dëshiron të shfajësojë veten nga gabimet që ka bërë në veri.
Musliu tha se Kurti nuk është duke punuar për të hequr masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian por për t’i shtuar ato.
“Unë konsideroj që Qeveria po vepron çdo ditë e më shumë në favor të sanksioneve dhe jo në heqjen e sanksioneve. Konsideroj që ka ardhë momenti që jo shtetet mike, jo që aleatët tanë, por që qytetarët e Republikës së Kosovës t’i vendosin sanksione kësaj qeverie, dhe ta shporrin nga pushteti”, deklaron Musliu.