Dezinformatat lidhen me sigurinë dhe se rrjedhin nga një departament i KGB-së ruse, i quajtur “Departamenti i Propagandës”.
Kështu pohon në dokumentarin “VIRUSSIA”, drejtori ekzekutiv i SEES, Agim Musliu duke shtuar se, ky informacion i rremë ka për qëllim të mashtrimit të opinionit rus.
“Dezinformacioni në kuptimin klasik është diçka që lidhet me sigurinë. Madje, vet fjala rrjedh prej një departamentit të KGB, i cili është quajtur ‘Departamenti i Propagandës’.Kuptimi që rusët i kanë dhënë kësaj ka qenë se, informacion i rremë me qëllim të mashtrimit të opinionit publik”, pohon Musliu.
Ndërsa për Albert Spahiun, gazetar në Telegrafi.com, metodat bashkëkohore ruse të luftës së informacionit, nuk e promovojnë vazhdën e axhendës së Kremlinit.
“Për dallim nga dezinformacioni dhe propaganda sovjetike, metodat bashkëkohore ruse të luftës së informacionit, nuk e promovojnë vazhdën e axhendës së Kremlinit. Në vend të kësaj, ato kalibrohen për të krijuar huti, ngatërresë dhe për shpërqendrim vëmendjeje”, thotë Spahiu.
Drejtori ekzekutiv i Komitetit për Strategji dhe Mbrojtje në Hybrid CoE, Johann Schmid, tregon se lufta hibride nuk është aspak e re.
“Unë do të thosha se nuk është fenomen i ri. Është e vjetër po aq sa konflikti dhe luftërat. Kështu që, në esencë, lufta hibride nuk është aspak e re”, tregon Schmid.
Kurse, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkoviq thotë se gënjeshtrat janë të mëdha pasi bota e rëndomtë nuk mund t’i kuptojë.
“Ato gënjeshtra nuk duhet të jenë të imëta, sepse ato lehtë vërtetohen. Por, gënjeshtrat të mëdha, të cilat bota e rëndomtë nuk është në gjendje t’i kuptojë e as t’i verifikojë”, përfundon Drashkoviq. /RTK/