Telegrafi

Musk thotë se sistemi i verifikimit me pagesë nuk pritet të lansohet derisa platforma të zgjidhë çështjen e imitimit të individëve dhe organizatave

Lansimi i ripunuar i verifikimit në Twitter është në pritje derisa platforma të ketë “besim të lartë” që mund të ndalojë imitimin e personave apo subjekteve të caktuara”, ka deklaruar CEO i kompanisë, Elon Musk.

“Po e ndalojmë rilansimin e verifikimit blu derisa të ketë besim të lartë për të ndaluar imitimin”, shkroi Musk në Twitter, të hënën vonë.

Sistemi i ri ka gjasa të përdorë gjithashtu shenja të ndryshme ngjyrash për të dalluar individët nga organizatat, tha ai, transmeton Telegrafi.

Njoftimi i Musk vjen pasi platforma e medieve sociale ndaloi rilansimin e saj të Twitter Blue – që iu jep përdoruesve një shenjë blu nëse paguajnë 8 dollarë në muaj – për shkak të çështjeve të përhapura të imitimit.

Përditësimi i fundit i miliarderit gjithashtu zëvendëson njoftimin e tij të mëparshëm se Twitter Blue do të rikthehej më 29 nëntor.

Lansimi i rastësishëm i verifikimit me pagesë të Twitter nga Musk filloi më 5 nëntor. Atë ditë, disa të famshëm si aktorja Valerie Bertinelli dhe komediania Kathy Griffin filluan të imitonin Musk-un për t’ia vënë në pah defektin e këtij sistemi.

Më 6 nëntor, Musk postoi në Twitter se Twitteri do të pezullonte përgjithmonë llogaritë e imituesve dhe parodisë pa “pa paralajmërim”.

Më 8 nëntor, platforma do të përdorte shenjën blu për të treguar përdoruesit që paguajnë për verifikim dhe një tekst gri që shënon “zyrtare” për llogaritë e verifikuara si të medieve, të njerëzve të famshëm politikanëve, dhe figurave dhe organizatave të tjera.  Dy ditë më vonë, Musk njoftoi se kishte hequr dorë nga funksioni.

Mashtruesit dhe shakaxhinjtë filluan të vërshojnë në Twitter, duke imituar figura të tilla si Senatori Ted Cruz nga Teksasi, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe Lebron James.

Twitter pezulloi rilansimin e sistemit të verifikimit më 11 nëntor. /Telegrafi/