Site icon Telegrafi

Musk mohon raportimin se planifikohet shkarkimi masiv i punëtorëve nga Twitteri

Elon Musk ka mohuar raportimin e bërë nga The New York Times se ai planifikon të largoj masisht punëtorë nga Twitteri, para fillimit të muajit të ardhshëm.

Musk duke iu përgjigjur një përdoruesi të Twitterit, i cili ka pyetur rreth lajmit, ai ka shkruar shkurt se “kjo është një gënjeshtër”, përcjell Telegrafi.

Javën e kaluar, miliarderi përfundoi blerjen e rrjetit sociale në vlerë prej 44 miliardë dollarësh, pas disa muajve “grindje” ligjore.

Blerja solli largimin e shefave kryesorë të kompanisë – duke përfshirë shefin ekzekutiv dhe atë të financave.

Në fundjavë, New York Times raportoi se Musk kishte urdhëruar shkurtime masive të vendeve të punës, në të gjithë fuqinë punëtore të Twitter.

Gazeta tha se pushimet nga puna do të ndodhin përpara 1 nëntorit, ku punëtorët do të merrnin pjesë të aksioneve në kompani, si një pjesë kryesore e marrëveshjes për paga.

Blerja nga Musku ka nxitur diskutime midis përdoruesve të Twitter se si do të duket platforma nën pronësinë e tij. Disa kanë shprehur shqetësime rreth politikave të fjalës së lirë, ku nënkuptohet se personat e ndaluar për gjuhë të urrejtjes ose dezinformimit mund të lejohen të kthehen në platformë.

Javën e kaluar, ai tha se nuk dëshiron që Twitter të bëhet një dhomë jehone për urrejtje dhe ndarje.

“Twitter padyshim nuk mund të bëhet një ferr pa pagesë për të gjithë, ku çdo gjë mund të thuhet pa pasoja”, ka shkruar ai në Twitter.

Musk gjithashtu filloi një sondazh në Twitter duke pyetur mbi 112 milionë ndjekësit e tij nëse ai duhet të rikthejë aplikacionin për video të shkurtra Vine. Shërbimi që i lejonte përdoruesit të shpërndanin video prej disa sekondash, që ishte blerë nga Twitter më 2012. /Telegrafi/

Exit mobile version