Më shumë se 250 mijë qytetarë dhe banorë kanadezë kanë nënshkruar një peticion, ku kërkohet që Elon Muskut t’i hiqet shtetësia kanadeze.
Lidhja e Muskut me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili planifikon të vendosë një tarifë prej 25 për qind për të gjithë importet kanadeze muajin e ardhshëm dhe që ka folur për Kanadanë si shtetin e 51-të të Amerikës, “është kundër interesave kombëtare të Kanadasë”, thonë ata që kanë iniciuar peticionin.
Ky miliarder i teknologjisë, shtetas i Afrikës së Jugut, Kanadasë dhe SHBA-ve, është bërë një nga aleatët më të dukshëm të Trumpit që kur presidenti i 47-të nisi mandatin e dytë muajin e kaluar.
“Ai ka përdorur pasurinë dhe pushtetin për të ndikuar në zgjedhjet tona. Tani ai është bërë pjesë e një qeverie të huaj që po përpiqet të fshijë sovranitetin kanadez”, thonë ata që kanë nënshkruar peticionin.
Në përgjigje të lajmit për peticionin, Musk shkroi në rrjetin social X se “Kanada nuk është një shtet i vërtetë”.
Një ekspert ligjor shpjegoi për CNN se qeveria kanadeze nuk mund të revokojë shtetësinë e fituar ligjërisht nga Musk, por autori i peticionit thotë se peticioni duhet të kuptohet si një “thirrje për përgjegjësi”.
Musk, i cili është lindur në Afrikën e Jugut, ka thënë më parë se ka marrë pasaportën kanadeze kur ishte adoleshent nga nëna e tij, Maye Musk, e cila ka lindur në Kanada.
Miliarderi më vonë mori shtetësinë amerikane, një dekadë pasi arriti në Shtetet e Bashkuara me vizë studenti. /Telegrafi/