Finalja para finales, po konsiderohet ndeshja çerekfinale mes Spanjës dhe Gjermanisë, të cilat do të ballafaqohen të premten në Stuttgart nga ora 18:00.
Kjo përballje do të jetë edhe duel i yjeve të rinj të futbollit, pasi në të dyja kampet ka emra të jashtëzakonshëm, që po shkëlqejnë në EURO 2024.
Te Gjermania luajnë Jamal Musiala dhe Florian Wirtz, që kanë nga 21 vjet, ndërsa te Spanja paraqiten 16-vjeçari Lamine Yamal dhe 21-vjeçari, Nico Williams.
Kjo katërshe ka moshë të përbashkët prej 79-vjetësh, vetëm tri më shumë se mosha e përbashkët e 38-vjeçarëve, Manuel Neuer dhe Jesus Navas, veteranëve të skuadrave prespektive.
Këta katër të rinjtë mund të jenë vendimtarë të premten pasdite në ndeshjen çerekfinale.
Musiala deri tani ka tri gola të realizuar. Ai shënoi në fitoren 2-0 kundër Danimarkës, ndërsa pas ndeshjes tha se mund të luajë edhe më mirë.
Musiala ka 33 paraqitje, 11 më shumë se Wirtzi, i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyer me Bayer Leverkusen, ku fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.
Te Spanja, Yamali ka shfaqur potencialin e tij edhe në “Euro 2024”, por që ende nuk e ka gjetur rrjetën. Ai ka prindër nga Guinea Ekuatoriale dhe Maroku, ndërsa si fëmijë ka emigruar në Kataluni.
Fizikisht është shumë i fuqishëm dhe i gatshëm në çdo moment për të bërë befasi. Kanë nisur që tani krahasimet me Lionel Messin.
Ai në një intervistë disa ditë më parë ka thënë se shpreson që ta ketë vetëm gjysmën e sukseseve të Messit në karrierën e tij.
Me paraqitje të mira në këtë Evropian u dallua edhe Nico Williams, prindërit e të cilit nga Gana u larguan në drejtim të Spanjës.
Ai ka një gol dhe një asistim deri tani dhe shihet si vendimtar te skuadra spanjolle. /Telegrafi./