Mushkonjat janë bërë problem serioz për banorët e kryeqytetit. Pothuajse në secilën lagje banorët ankohen prej insekteve e komuna thotë se arsye pse këtë vit nuk po mund t’i zhdukin insektet edhe pas dezinsektimit është moti i paqëndrueshëm dhe lagështia më e madhe se vitet e shkuara.
Ankesa për mushkonja kanë shumë qytetarë të ‘Matiqanit’ dhe ‘Veternikut’.
“Po rrimë brenda se jashtë nuk dilet hiç”, thotë për televizionin publik të Kosovës, Xhemajl Hoxha, qytetar nga ‘Veterniku’.
“Si të terrohet po duhet me i mbajt dyert e dritaret mbyllë”, shton ai.
Në komunë thonë se dezinsektimi do të vazhdojë.
Pas dy fazave të para shumë shpejt pritet do të fillojë faza e tretë e dezinsektimit.
Edhe pse ka ankesa të shumta nga qytetarët për pickime nga mushkonjat asnjë nga to nuk është alarmante. Rastet që janë lajmëruar në Klinikën Infektive në QKUK janë të pakta dhe nuk janë shqetësuese.