Do të ishte befasi nëse nuk do të kishte zgjedhje të reja brenda këtij viti në Kosovë, pasi koalicioni qeverisë është shumë i brishtë dhe plot vendime është e pamundur t’i çojë përpara.
Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, analisti Imer Mushkola i cili tutje tha se qeveria aktuale është duke keq qeverisur, por siç tha ai edhe kryeministri Haradinaj nuk e ka qasjen e duhur ndaj çështjeve të ndryshme dhe me rëndësi për vendin.
Nëse shihet nga aspekti politik, Mushkolaj tha se zgjedhje të reja mund të ketë nëse ekziston vullneti i presidentit Thaçi, rrjedhimisht edhe i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Me zgjedhjet e reja supozoj se Thaçi do të krijonte një situatë të re, ku do të kthehej dialogu në binarë dhe ai ta marr rolin që i takon sipas Kushtetutës, por në anën tjetër duhet të kenë parasysh se cilat janë interesat politike për të shkuar në zgjedhje”, tha ai.
Sipas tij, për momentin partitë politike nuk kanë ndonjë interes serioz për të shkuar në zgjedhje.
“Ndoshta ky interes mund të shtohet nga ana e LDK-së, kur ta formon Kuvendin e tij, për shkak se edhe sondazhet e nxjerrin si një parti të parë. Por në anën tjetër nuk besoj që pjesa tjetër e opozitës LVV dhe PSD nuk do duan të shkojnë në zgjedhje. Po ashtu nuk mund të presim që koalicioni qeveritar do të prishet para se subjektet politike të merren vesh për kalkulimet e mundshme pas zgjedhore. Në këtë rast edhe nëse koalicioni do të prishej, supozoj qoftë me votat e Nismës apo të PDK-së, kjo nuk ndodh para se këto dy parti ose parti tjera të koalicionit qeveritar të kalkulojnë se me kë dhe si do të mund të bëjnë koalicion në mënyrë eventualisht të jenë në qeveri pas zgjedhjeve”, u shpreh Mushkolaj.
Ndryshe, në fillim të shatorit të këtij viti qeveria “Haradinaj” mbush dy vjet prejse është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe pikërisht në këtë kohë opozita po planifikon ta rrëzojë nëpërmjet mocionit të votëbesimit.
Përndryshe, Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Haradinaj është votuar në Kuvend më 9 shtator 2017, ku kishte siguruar vetëm 61 vota të deputetëve, një deputet kishte abstenuar, përderisa në votime nuk kishin marrë pjesë deputetët e LDK-së dhe të LVV-së.