Site icon Telegrafi

Mushkolaj thotë se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë, vendimi për taksën do të suspendohet

Dialogu në nivel presidentësh në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është duke u zhvilluar, kjo pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, të cilin vendim kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka premtuar që nuk do ta heq deri në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

Mirëpo, njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj thotë se vendimi për taksën shumë shpejt do të suspendohet.

Mushkolaj tha se kushti i vetëm i Serbisë që të vazhdoj dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është heqja e kësaj takse.

Ai beson që shpejt vendimi për taksën do të suspendohet për të krijuar klimë të besimit të ndërsjellë për dialog.

“Kushti i Serbisë është që dialogu nuk do të vazhdoj pa u hequr taksa. Në anën tjetër kemi premtimin e kryeministrit se taksa nuk hiqet deri sa Serbia ta njoh Kosovën. Unë nuk i besoj këtij premtimi. Besoj që shpejt vendimi për taksën do të suspendohet për të krijuar atë që po thuhet klimë të besimit të ndërsjellë për dialog”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj po ashtu tha se ekziston një marrëveshje kornizë e cila do të ju imponohet palëve, Kosovë-Serbi.

“Dialogu do të vazhdoj. Nëse i kemi paralajmërimet se dialogu duhet të mbyllet më së largu deri në gjysmën e këtij viti ose deri nga maji atëherë duhet ta kemi parasysh që mes Kosovës dhe Serbisë ka aq shumë probleme, sa që është pak e besueshme që marrëveshja të arrihet me negociata. Por besoj që tashmë ekziston një marrëveshje kornizë e cila do të ju imponohet palëve edhe disa propozime që palët ose do t’i pranojnë ose do t’i refuzojnë. Përndryshe është kohë shumë e shkurt që një marrëveshje siç po thuhet historike mes dy shteteve që kanë armiqësi të gjatë shekullore të arrihet kaq shpejt”, u shpreh ai.

Analisti Mushkolaj, theksoi se nëse SHBA-të dhe BE-ja kanë kërkuar që marrëveshja të nënshkruhet deri në gjysmën e parë të vitit, atëherë ajo do të bëhet.

Siç tha ai, pjesa më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes dhe pa garanci të fortë ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-të është e kotë të arrihet çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse e shohim nga perspektiva e sponsorizuarve të marrëveshjes, po mendoj sponsorizuarve të përfundimi të procesit, në radhë të parë të SHBA-vë, po ashtu BE-së, marrëveshja duhet të kryhet, të nënshkruhet të paktën. Por në anën tjetër kjo nuk d.m.th që do të përfundoj gjithçka mes Kosovës dhe Serbisë në kuptimin e arritjes së marrëveshjes. E dimë që pjesa më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes dhe pa garanci të forta ndërkombëtare në radhë të parë nga SHBA-të është e kotë që të nënshkruhet çfarëdo marrëveshje me Serbinë”, potencoi ai.

Mushkolaj nuk pret që në marrëveshje të përfshihet edhe njohja e Kosovës nga Serbia.

“Po ashtu nuk pres që në marrëveshje do të përfshihet edhe njohja e Kosovës nga Serbia. Mund të jetë një njohje e heshtur, mirëpo jo njohje eksplicite. Mirëpo SHBA-ve ju intereson që marrëveshja të kryhet deri në verë. Dhe nëse ata janë të interesuar që kjo duhet të ndodh atëherë kjo do të ndodhë gjithsesi. Kjo në njëfarë forme e bën shumë imediatë dhe një organizimi të skenës politike në Kosovës që t’i qasen dialogut me seriozitet të mos vazhdojnë me qëndrime ose deklarata që nuk thonë asgjë”, tha ndër të tjera njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj.
Ndryshe, dialogu Kosovë-Serbi nuk është duke u zhvilluar pasi Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur taksë prej 100 për qind për produktet serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, nëse shfuqizohet vendimi për rritjen e taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ditë më parë në një konferencë për media pati thënë se taksa nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. /Telegrafi/

Exit mobile version