Imer Mushkolaj, i ka akuzuar partitë politike të pozitës dhe opozitës për bllokim të Kuvendit të Kosovës.
Ai në “Debat Plus”, tha se përkundër kësaj është problematike të shpërndahet Kuvendi, për shkak se opozita nuk i ka numrat për një gjë të tillë dhe se pozita nuk e ka në mend të veproj si do opozita.
“Mundësia ekziston gjithmonë, varet nga vullneti politik. Është situatë interesante në Kuvend, opozita pavarësisht që nuk i ka numrat për një mocion votëbesimi, vazhdimisht kërkon zgjedhje. Pushteti që i ka numrat, ka mundësi ta dërgoj vendin në zgjedhje, deri tash nuk e ka mëndu një gjë të tillë”, tha ai.
Mushkolaj tha se në Kuvendin e Kosovës, në seancat e fundit, ka vetëm përplasje, akuza e sulme, dhe pak punë në të mirë të qytetarëve.
“Nëse i dëgjojmë dyja palët, deklaratat janë paradoksale, në kuptimin që pushteti edhe me veprime është që po e bllokon Kuvendin sot nuk ishte pjesëmarrës në seancë. Në anën tjetër opozita është për me rezistu dhe me vendos ndonjë kusht, p.sh nëse nuk e votoni rezolutën për policinë, nuk votojmë marrëveshje ndërkombëtare. Pra, të dyja palët po e bllokojnë Kuvendin, Kuvendi është i bllokuar, nuk funksionon. Kemi parë vetëm përplasje, akuza e sulme, ndërkohë që nuk ka qenë fare produktiv”, tha ai.