Analisti Imer Mushkolaj ka thënë është e çuditshme se pse Qeveria kritikon vetëm LDK-në për dialogun, e jo VV-në.
Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se janë bërë shumë shkaqe, që subjektet e koalicionit qeveritar të përplasen me LDK-në, duke filluar nga abstenimi i LDK-së në dialog.
Ai ka thënë se deri në vitin 2004 kur Rugova e bëri kryeministër Ramush Haradinajn, këto dy subjekte kanë pasur raporte të acaruara për shkak të trashëgimisë së luftës.
“Qetësia erdhi pasi Rugova bëri koalicion me AAK-në. Mendoj se në atë kohë vendit i është nevojitur një koalicion i tillë për shkak të përplasjeve”, tha Mushkolaj.
Analisti ka thënë se është e drejtë e LDK-së, nëse kalkulon për vota e nuk merr pjesë në dialog.
“LDK-ja ka të drejtë të qëndrojë në opozitë dhe të mos e përkrahë dialogun. Edhe nëse kalkulojë për vota kanë të drejtë, sepse këtë e bëjnë të gjitha subjektet politike”.
Mushkolaj ka kritikuar AAK-në që po bëjnë akuza vetëm ndaj LDK-së, pse kjo e fundit nuk po përfshihet në dialog.
“Për mua është shumë e çuditshme, pse vetëm LDK po ‘bëka gabim’ që nuk po i bashkohet dialogut e jo Vetëvendosje. Shumë rrallë dëgjoj nga z.Haradinaj, AAK-ja apo partitë e koalicionit qeveritar, që të kërkoj nga VV-ja përfshirje në dialog”, tha Mushkolaj. /Telegrafi/