Analisti Imer Mushkolaj thotë se Memli Krasniqi nuk mund të kishte ardhur në krye të PDK-së pa mbështetjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Mushkolaj në “Debat Plus” thotë se procesi i zgjedhjeve të brendshme në PDK u bë me shumë jo transparencë.
Ai thotë se ka pasur një skenarë për zgjedhjen e Krasniqit në krye të PDK-së qysh kur në Hagë kanë shkuar Thaçi e Veseli.
“Gjithçka në këtë proces ka ndodhur me direktiva të ish liderëve të PDK-së. Unë besoj se vullneti i tyre ka qenë që zoti Krasniqi të vije në krye të PDK-së për shumë arsye…Krasniqi njihet si lojal ndaj këtyre dy personave. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi Thaçi e Veseli donin një njeri të tyre në krye të partisë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Analisti thotë se data e Kuvendit të PDK-së u caktua vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së Kuvendit e që sipas tij nuk kishte më hapësira për tjera manovrime.
“U pa si ishte një skenarë edhe me tërheqjen e kandidaturave tjera”.
Mushkolaj thotë se momentumi në të cilin e ka marrë PDK-në Memli Krasniqi nuk është aspak i favorshëm./Telegrafi/