Telegrafi

Mushkolaj me “Thertore…” në Sarajevë

Me dramatizim të Tatjana Ljujicit dhe regji të Fahrudin Nuno Salihbegovicit, shfaqja është prodhim i platformës artistike ndërkombëtare SET (Beograd-Londër-Amsterdam). Versioni i parë i saj është dhënë në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë, “Klanica 5”, e realizuar në tri versione, është shfaqur në vende të ndryshme.

Shfaqja është një rrëfim për bombardimin e qytetit të Dresdenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit për një natë vdiqën 135 mijë veta. Tmerrin e Dresdenit e ka përjetuar vetë shkrimtari Vonnegut dhe ai atë përjetim e ka “bartur” në një tregim fantastiko-shkencor, duke ofruar një tregim skizofrenik të aktorit kryesor, për një vizitë në tjetër planet.

Shfaqja i takon zhanrit të ashtuquajtur “teatër digjital”, sepse përveç teatrit klasik verbal në të përfshihen edhe elemente vallëzimi, dokumentari dhe video teatri. Ndërkaq, e veçantë është përdorimi i softuerit interaktiv dhe teknologjisë digjitale, gjë që bën të mundur që elemente të shfaqjes të jenë nën kontrollin e aktorëve gjatë gjithë kohës. Përveç Mushkolajt, në shfaqje luajnë edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic.

Pas prezantimit të shfaqjes, në Sarajevë dramaturgia dhe regjisori i shfaqjes do të mbajnë edhe një master-klasë me studentët boshnjakë, për mundësitë e përdorimit të teknologjisë digjitale në teatër.

Regjisori Salihbegovic ka përfunduar studimet për teatër në Amsterdam, ka doktoruar në regjinë e teatrit digjital në Londër dhe tash ligjëron në Universitetin e Greenwichit, po në Londër, kurse dramaturgia Ljujic është doktorant në Universitetin e Cambridge-it.

“Klanica 5” do të shfaqet sivjet edhe për publikun kosovar, në Prishtinë. /Telegrafi/