Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nuk mund të bëhet krahasimi i lojërave të fatit mes Las Vegasit dhe Kosovës.
Mushkolaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ka shumë qytetarë në Kosovë që kanë pasur problem të mëdha familjare për shkak të lojërave të fatit.
Ai ka thënë se në fillim kur u bë koncept dokumenti për lojërat e fatit njerëzit e Qeverisë deklaruan se pse njerëzit të dalin kundër kur ato do të kontrollohen në mënyrë të rregullt.
“Qeveritarët morën shembull Las Vegasin. Thanë që në SHBA janë të lejuara e tjera tjera…Ne e dimë se në Las Vegas, si qendra kryesore botërore e lojërave të fatit, lojërat e fatit janë sinonim i bollëkut, sinonim i pasurisë. Në Kosovë lojërat e fatit janë sinonim i varfërisë dhe i mjerimit”, tha Mushkolaj, përcjell Telegrafi.
“Kush luan në Kosovë më shumë lojëra të fatit? Kush luan bastore më shumë në Kosovë? Fatkeqësisht, sidomos ato që njihen si aparate, pjesa më e madhe e atyre që i lënë paret janë njerëz të varfër të Kosovës. Ata njerëz nuk luajnë për t’u argëtuar, por luajnë se mos po fitojnë. Ata e provojnë mos po fitojnë”, tha ndër të tjera analisti Imer Mushkolaj./Telegrafi/