Telegrafi

Mushkolaj: Haradinaj nuk është prokuror e gjykatës të etiketojë dikë si “mafi”

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se gjuha e ryeministrit Haradinaj në raport me anëtarët e Agjencisë së Akreditimit është e papranueshme.

Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Kryeministri nuk është prokuror e gjykatës t’i quaj “mafi” anëtarët e Agjencisë së Akreditimit.

“Pushtetet janë të ndara. Ata njerëz që janë zgjedhur në Këshillin e Cilësisë nuk i ka zgjedhur Kryeministri, por janë të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës. Ata janë zgjedhur me më shumë se 70 vota në Kuvendin e Kosovës, më shumë vota sesa vetë Kryeministri”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se Kryeministri është dashur të reagojë kur Hashim Thaçi themeloi jashtëligjshëm këto universitete.

“Ne e dimë që një institucion për të qenë universitet duhet të ketë së paku 5 programe të doktoratës nga fusha të ndryshme. Universitetet në atë kohë janë krijuar për arsye elektorale të Hashim Thaçit”.

Mushkolaj thotë se nuk ka pasur as studim fizibiliteti nëse ka pasur apo jo nevojë për themelimin e universiteteve të reja.

“Hashim Thaçi ka pasur vizion që të krijojë këto universitete që në radhë të parë të punësojë militantë partiakë dhe të fitojë vota, por duket se këto universitete misionin e vet nuk e kanë kryer”, tha Mushkolaj./Telegrafi/