Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nuk e përjashton largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit.
Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se takimet VV-LDK tashmë janë të vështira pas situatës së re të krijuar.
Ai ka thënë se ka zëra brenda LDK-së që thonë se puna e koalicionit është gjë e mbaruar por sipas tij nga Vetëvendosje janë skeptikë për marrëveshje.
Analisti ka thënë se pavarësisht deklaratave të Glauk Konjufcës se ai nuk do të dorëhiqej, një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet.
“Nuk e besoj se do të largohet Konjufca, por nuk e përjashtoj. Është krijuar miti për parimet e Vetëvendosjes dhe Kurtit por nëse e ndjekim me vëmendje plot qëndrime të tyre që kanë thënë që nuk i bëjmë më herët tash po i bëjnë. Unë nuk befasohem nëse do të ndodhte rrokada e krye parlamentarit në favor të arritjes së koalicionit”.
Mushkolaj ka kritikuar edhe qëndrimin e zyrtarëve të dy partive pasi sipas tij gazetarët i kanë pritur katër orë ndërsa në fund kanë deklaruar se “jemi pajtuar për të vazhduar nesër takimin”./Telegrafi/