Site icon Telegrafi

Mushkolaj: Dorëheqja e kryetarëve serbë të komunave veriore, momentum i ri në Kosovë (Video)

Analisti Imer Mushkolaj thotë se dorëheqja e kryetarëve serbë të komunave veriore është një momentum i ri mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka të bëjë edhe me çështjen e dialogut.

“Edhe Brukseli është i interesuar që çështjet të zgjidhen sa më shpejt. Sinjalet që na janë dhënë deri tash, kanë të bëjnë edhe me korrigjimin e kufijve dhe janë pjesë e arritjes së një zgjidhjeje”, tha Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.

Mushkolaj ka thënë se përçarja e Listës Serbe është lajmi më i mirë që mund të kishte ndodhur, duke pasur parasysh si ka funksionuar deri sot.

“Kushtëzimet që u janë bërë qytetarëve serb në Kosovë nga Lista Serbe, i kanë detyruar ata që të votojnë këtë subjekt politik… Ata që kanë dalë kundër këtij subjekti janë kërcënuar madje edhe vrarë, siç është rasti i Oliver Ivanoviqit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Analisti ka thënë se ajo që po ndodh në komunat veriore të Kosovës është situatë jo normale dhe heshtja e institucioneve është shqetësuese.

“Është një gjendje e jashtëzakonshme nëse flasim në aspektin juridik dhe funksionimit të institucioneve. Të japin dorëheqja katër kryetar komunash, qofshin edhe shqiptarë, dhe të pushojnë së funksionuari institucionet, nuk mund të konsiderohet se gjithçka është në rregull… Kryeministri Haradinaj thotë se do të flas nesër për këtë çështje”, deklaroi Mushkolaj./Telegrafi/

Exit mobile version