Site icon Telegrafi

Mushkolaj: Deçani bëri gabime procedurale për tokat e Manastirit; Gashi: Të prishet kontrata mbi falje për Manastirin e Deçanit

Gjyljeta Mushkolaj, eksperte e të drejtës kushtetuese, në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka thënë se Gjykata Kushtetuese merret me çështjen e sundimit të ligjit dhe vendimi për Manastirin e Deçanit ka treguar se nuk është hera e parë që Kushtetuesja kundërshtohet në këtë mënyrë.

“Institucionet e Deçanit janë shumë të vetëdijshëm që kanë bërë gabime të vazhdueshme procedurale”, ka thënë ajo.

I drejtë cilësohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga Mushkolaj, e cila thotë se Gjykata është marrë vetëm me sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike.

Mirëpo, sipas avokatit Tomë Gashi, ekziston procedura për zgjidhjen e shqetësimit të banorëve të Deçanit.

“Unë besoj se Gjykata Kushtetuese nuk është dashur të lëshohet në vlerësimin e kësaj”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se vendimi për 20 hektarët e dhënë për Manastirin e Deçanit mund të anulohet, pasi sipas tij ekziston një rregullore sipas të cilës të gjitha vendimet në mes viteve 1989-99 mund të shfuqizohen lehtë.

“Deri në vitin 2002 askush prej Deçanit nuk ka bërë ankesë për anulimin e vendimit për dhënien e tokave Manastirit të Deçanit. Republika e Serbisë ja ka falë këto toka manastirit të Deçanit”, ka thënë Gashi.

“[Deçani] duhet të kërkojë anulimin e kontratës mbi falje të Republikës së Serbisë. Në momentin që kërkojnë anulimin e kësaj kontrate, ata do ta fitojnë rastin”, ka thënë Gashi që është bazuar në kontratën e vitit 1997 të Serbisë.

Exit mobile version