Site icon Telegrafi

Imer Mushkolaj debat të ashpër me deputetët e LVV-së: Kthejani PDK-së mandatin e Graincës

Analisti Imer Mushkolaj ka pasur debate të ashpra me deputetët e LVV-së, Artan Abrashi dhe Fitim Uka.

Mushkolaj është treguar i ashpër në lidhje me kalimin e deputetes Adelina Grainca nga PDK në LVV.

“A ka bërë mirë deputetja Adelina Grainca që ka kaluar në LVV? A duhet që ajo ta kthejë “mandatin e vjedhur” te PDK-ja. A po i shihni standardet e dyfishta që i keni ju. Ju keni përdorur gjuhë shumë të tmerrshme në të kaluarën ndaj deputetëve që janë larguar nga LVV”, iu ka thënë Mushkolaj deputetëve të LVV-së të pranishëm në “Debat Plus”.

Deputeti Artan Abrashi i është përgjigjur analistit duke thënë se në situatat tjera dallojnë shkaqet dhe arsyet me veprimin e deputetes Grainca.

“Ju keni thënë kolegëve tuaj që kanë kaluar në PSD “ktheni mandatet e vjedhura”. I keni thënë Shpend Ahmetit “ktheje mandatin se e ke vjedhë”. Thoni edhe kësaj zonje ktheje mandatin sepse e ke fituar me votat e PDK-së”, ka bërë kundër replikë Mushkolaj.

Deputeti Abrashi i është kundërpërgjigjur Mushkolajt duke i thënë se duhet të dëgjojë arsyetimet që jep deputetja Grainca për lëvizjen e saj.

“Ajo ka ushtruar mandatin pikërisht si e parashikon kushtetuta mandatin e deputetit. Unë mendoj se ajo është sjellë saktësisht siç duhet të sillet një deputete”, ka thënë Abrashi.

Mushkolaj ka bërë kundër replikë duke thënë se LVV duhet të ndjekë standardin që vet e ka vendosur./Telegrafi/

Exit mobile version