Analisti Imer Mushkolaj e sheh të vështirë mundësinë që barrikadat t’i largojë Policia e Kosovës.
Mushkolaj thotë se situata në veri vetëm normale nuk mund të quhet.
“I kemi barrikadat në rrugë dhe dy pika kufitare janë të bllokuara. Barrikadat mund të qëndrojnë atje me vite nëse ato nuk i heq KFOR-i. Nuk është problemi a mundemi t’i heqim, por në pyetje janë kostot e njerëzve”, deklaroi analisti në Debat Plus.
Mushkolaj thotë se nuk mund të kontestohet forca e Policisë së Kosovë për heqjen e barrikadave, por sipas tij duhet të merren parasysh pasojat që mund të krijohen.
“Ajo është çështje e KFOR-it dhe nuk e di pse KFOR-i deri me tani nuk i ka larguar këto barrikada”.
Analisti thotë se nuk vendos KFOR-i për vendosjen e mundshme të njëmijë ushtarëve serbe ne veri të Kosovës.
“Për këtë çështje vendos Këshilli i NATO-s. Nëse një vend i vetëm vendos veto kjo gjë pamundëson këtë vendim”, deklaroi tutje Mushkolaj./Telegrafi/