Kushtrim Mushica, portieri i Prishtinës e cila edicionin e kaluar fitoi “kurorën e dyfishtë”, mendon se njëri ndër lojtarët e klubit të tij duhet të fitojë epitetin e futbollistit të vitit 2013 – të votuar nga kryetrajnerë dhe ish-kryetrajnerë të skuadrave të Superligës.
“Është mirë kur të vlerësohet puna…por e kam thënë dhe po e potencoj sërish se Prishtina është dashur të ketë futbollistin e vitit. Arsyet dihen, të gjitha të arriturat në të gjitha frontet që kemi pasur. Unë kam qenë njëri prej kandidatëve edhe pse zyrtarisht akoma nuk e di fituesin, por aq sa kamë lexuar nëpër gazeta, jam befasuar, të paktën aq sa po thuhet në opinionin publik se futbollisti i vitit nuk është nga Prishtina”, tha ai për faqen e klubit në internet.
Mushica mendon se votimi duhet bërë në forma tjera. “Mendoj se nuk është votuar si duhet, nuk është vlerësuar i tërë viti. Ndoshta kanë vlerësuar vetëm një pjesën e dytë duke harruar gjashtëmujorin e parë, ose kanë shkuar në mënyrën e hatrit e ndoshta kanë vlerësuar edhe ish-futbollistët e tyre. Nuk e di…Por, vetë fakti që nuk është zgjedhur futbollisti i Prishtinës janë përdorur forma tjera të “vlerësimit” dhe votimit nga këta trajnerë”.
“Veç mbylli sytë dhe zgjidhe nga Prishtina dhe nuk do të kishe gabuar. Te Prishtina normalisht ka pasur ndryshime në gjashtëmujorin e dytë duke u larguar disa futbollistë të cilët kanë qenë më të dalluarit, por aty ka qenë edhe Liridon Kukaj, Driton Krasniqi, e duhet të përmend edhe emrin tim ku për një vit kamë qenë në portë. Mendoj se nuk e ka merituar dikush tjetër përveç neve treve”, tha Mushica. /Sporti1/Telegrafi/