Në fakt, Prishtina në dy edicionet e fundit është shpallur kampione, kurse Trepça ’89 deshi apo jo është kënaqur me pozitën e përcjellësit të parë. Kjo luftë nuk ka dyshim se do të zhvillohet edhe në edicionin e ri, dhe dy javët e para janë treguesi më i mirë për këtë.
Megjithatë, ndeshjet e javës së dytë dëshmuan se në futbollin kosovar nuk ka të pamposhtur pavarësisht se kush është rival. Shorti deshi që në javën e tretë Prishtina dhe Trepça ’89 të ballafaqohen në kryeqytet dhe kjo ka zgjuar kërshëri të madhe te dashamirët e futbollit, por natyrisht edhe te futbollistët, pasi përkundër raporteve të mira, rivaliteti ndërmjet tyre është i madh.
Kushtrim Mushica është portieri numër një në vendin tonë dhe e ka të qartë se përballë do të ketë disa sulmues cilësorë të Trepçës 89, ndër të cilët edhe Kastriot Rexhën e rikthyer.
“Rexha është qendërsulmues cilësor, por unë nuk merrem dhe nuk fokusohem tek ndonjë futbollist në veçanti. Për mua është me rëndësi që ta ruaj portën pavarësisht se për cilin futbollist bëhet fjalë. Besoj se nuk do të mposhtem, ashtu siç besoj tek bashkëlojtarët e mi se do të shënojnë në mënyrë që pikët të mbeten në Prishtinë”, thotë Mushica, sipas të cilit “ndeshja me Ferronikelin ishte një mësim për ne”.
Zakonisht në disa vitet e fundit si Prishtina apo Trepça’89 kanë qenë të sigurta në terrenet vendase duke shënuar fitore. Përjashtim bën fitorja e ekipit mitrovicas sezonin e shkuar në Prishtinë me rezultat 1:2, ndërkohë që bardhekaltërit pos një barazimi nuk ia kanë dalë të fitojnë në qytetin buzë Ibrit.
Në anën e kundërt, Kastriot Rexha është i kënaqur me paraqitjen e tij, por pret që në vazhdim të jetë ai i vërteti, kur të gjithë portierët do t’ia kenë frikën.
“Përkundër largimeve të shumta, Prishtina është skuadër shumë cilësore, por epërsia e saj më e madhe është se luan si vendëse dhe se është kampione për dy vjet radhazi. Mirëpo unë besoj se nga kryeqyteti do të dalim me rezultat pozitiv, e kjo do të ishte edhe barazimi”, thotë Rexha, i cili këtë sezon u kthye në radhët e ekipit mitrovicas pas ndarjes me Vllazninë e Shkodrës.
Sa i përket dridhjes së rrjetës, Rexha është shprehur: “Dihen cilësitë e Mushicës, të cilin e kam pasur rival edhe më parë, madje kur isha te Hysi kam shënuar gol e shpresoj se kjo do të ndodhë edhe në ndeshjen e radhës. Mirëpo për mua më shumë ka rëndësi rezultati pozitiv për skuadrën tisme”. /Zëri/Telegrafi/