Ndonëse në stinorin vjeshtor skuadra e tij nuk ishte në nivelin e pritur, Mushica ishte ai që nuk lejoi që rrjeta e tij të preket më shumë se 10 herë nga 11 gola sa ka pësuar gjithsej Prishtina.
“Në përgjithësi ishte vit shumë i suksesshëm për mua pasi me Prishtinën fitova çdo gjë që mund të fitohet në futbollin kosovar, titulli, Kupa e Kosovës, Kupa në diasporë e trofeu mbarëkombëtar në Vlorë. Të gjitha këto u arritën brenda një viti dhe kjo duhet vlerësuar”, shprehet gardiani i portës së Prishtinës, i cili rreth çmimit për futbollistin e vitit thotë: ”Mendoj se komisioni duhet të jetë korrekt. Prishtina ka fituar çdo gjë dhe natyrisht se nga kjo skuadër duhet të dalë edhe futbollisti më i mirë i vitit. Edhe unë kam marrë lëvdata nga të gjithë për formën e treguar, të paktën kështu ma kanë thënë në sy, por për këtë vendosin të tjerët dhe shpresoj se epitetin e më të mirëve do ta marrin ata që vërtet e meritojnë”, theksoi Mushica, i cili me skuadrën e Prishtinës ka kontratë deri në qershor të vitit 2014.
Vitin e shkuar më i miri ishte shpallur Shpëtim Idrizi i Trepçës’89. Ceremonia zyrtare e shpalljes së më të mirëve mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. /Zëri/Telegrafi/