Për 4-5 persona duhen:
• patëllxhanë 1 kg
• vaj 3 filxhanë kafeje
• qepë 2-3 kokrra mesatare
• mish i grirë 200 gr ose një filxhan çaji
• domate 3-4 kokrra
• hudhra 3-4 thelpinj
• kripë, piper i zi, majdanoz.
Gatimi
Patëllxhanëve u hiqet bishti dhe maja, lahen, priten në feta të rrumbullakëta, në qoftë se patëllxhani është i hollë pritet në formë ovale. Vendosen në ujë me kripë për 30 min, pastaj mbulohen, lyhen me miell dhe skuqen nga të dyja anët.
Në vajin e mbetur skuqen qepët e grira hollë derisa të marrin ngjyrë ari; në to hidhet mishi i grirë, pastaj shtohen domatet e qëruara dhe të prera në copa të vogla, kripë, piper i zi, majdanoz, hudhra të grira dhe pak ujë. Të gjitha këto vihen të ziejnë në zjarr të ngadaltë 5-10 minuta.
Patëllxhanët e skuqur ndahen afërsisht në 3 pjesë. Një pjesë e tyre shtrohet në tavë dhe mbi ta hidhet gjysma e kimës, pastaj shtresa tjetër e patëllxhanëve e mbi ta pjesa tjetër e kimës. Në fund mbulohet me pjesën e mbetur të patëllxhanëve, spërkatet me yndyrë dhe piqet në furrë për 15-20 minuta. Pasi nxirret nga furra, lihet pak të ftohet dhe pritet në copa.
Musakaja mund të përgatitet dhe me salcë të bardhë e cila i hidhet sipër në shtresë të hollë, rrafshohet, spërkatet me gjalpë dhe djathë të thërrmuar ose kaçkavall të grirë.
Salca e bardhë përgatitet kështu: mielli kaurdiset pak me gjalpë, shuhet me qumësht, duke u përzier shpejt që të mos krijohen kokrriza, zihet pak sa të trashet, hiqet nga zjarri dhe pasi të jetë ftohur, hidhen të verdhat e vezëve.