Telegrafi

Musa: Paraja e gatshme po eksportohet, Qeveria t’i merr parasysh kërkesat e FMN-së

Kërkesa e Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN), që gjatë këtij viti mos të ketë rritje të pagave për sektorin publik, është mirëpritur nga njohësit e ekonomisë në vend.

Njohësi i ekonomisë, Lekë Musa ka thënë për ORAinfo, se ngritja e pagave në mënyrë jo proporcionale me rritjen e ekonomike sjell ndikime negative në vend. “Rritja e pagave në sektorin publik në njërën anë e bënë sektorin privat jo konkurrues, ndërsa në anën tjetër e ngarkon buxhetin duke bartur një pjesë të madhe të saj në paga në dëm të shpenzimeve kapitale”, ka thënë Musa.

Musa gjithashtu ka thënë se rritja e pagave në sektorin publik, ndikon edhe në rritjen e deficitet tregtar dhe në eksportimin e parasë së gatshme, pasi që ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetët ekonomi konsumuese. “Shpenzimet kapitale janë bazë për zhvillim ekonomik dhe me rritjen e pagave ne vazhdojmë me e rritë konsumin i cili është kryesisht importi, çka do të thotë se eksportojmë paranë e gatshme”, thekson Musa.

Ai ka mirëpritur kërkesën e FMN-së për të pasur rregull të re për rritjen e pagave në sektorin publik. “Kërkesa e IMF-së për të përcaktuar një rregull të re, për të kufizuar rritjen e pagave në sektor publik është mese e domosdoshme, duke pasur parasysh se në të kaluarën ka pasur vendime të papërgjegjshme për ngritjen e këtyre pagave duke mos marrë parasysh efektet negative”, ka thënë Musa.

Sipas tij, duke qenë sektori publik atraktiv, atëherë është e lehtë gjithmonë për partitë në pushtet për të përfituar vota.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka pranuar kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN), që gjatë këtij viti mos të ketë rritje të pagave për sektorin publik. /Telegrafi/