Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, në kuadër të vizitës së tij të parë të punës në Austri, sot në Vjenë takoi Ministren Federale për BE-në dhe Kushtetutë të Austrisë, Karoline Edshtadler, në të cilën biseduan për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë për politikën e zgjerimit të BE-së dhe së fundmi Planin për Rritje të prezantuar për Ballkanin Perëndimor.
“Agjenda reformuese nuk është vetëm një plan strategjik, por një dëshmi e përkushtimit tonë për harmonizimin me standardet evropiane dhe për avancimin e procesit tonë të adermit në BE”, theksoi ministri Murtezani. “Me mbështetjen e partnerëve si Austria dhe kornizën e siguruar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, besojmë se do të kemi progres konkret drejt anëtarësimit të plotë në Union”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Çështje Evopiane.
Në takim gjithashtu u riafirmuan marrëdhëniet e fuqishme miqësore mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ministrja Edshadler, theksojnë nga atje, konfirmoi përkushtimin e Austrisë për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe sigurinë evropiane. Dy ministrat ranë dakord për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit dhe dialogut për të siguruar navigim të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut nëpër sfidat e procesit të integrimit në BE./Telegrafi/