“Këmbëngulja jonë nuk është për një zgjidhje specifike, por për debilateralizimin e procesit të mëtejshëm të anëtarësimit në BE. Çdo zgjidhje që ne konsiderojmë se siguron procesin e anëtarësimit të vendit në BE do të jetë e pranueshme për ne”, thotë ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Orhan Murtezani.
“Që korniza e negociatave nuk mund të ndryshohet, ne e dinim më parë. E njëjta gjë është përsëritur disa herë në të gjitha takimet e nivelit të lartë në Bruksel dhe më gjerë. Këmbëngulja jonë nuk është për një zgjidhje specifike, por për debilateralizimin e procesit të mëtejshëm të anëtarësimit në BE. Çdo zgjidhje që ne konsiderojmë se siguron procesin e anëtarësimit të vendit në BE do të jetë e pranueshme për ne. Ato zgjidhje që nënkuptojnë saktësisht, cilat janë teknikat, formulimet etj. mbetet për t’u zgjidhur përmes një procesi negocimi. Por, qëndrimi ynë është që të mbrohemi nga bllokada të mëtejshme”, tha Murtezani i pyetur se cila është taktika apo plani i Qeverisë pas mesazheve nga Brukseli se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar janë një skenar i paimagjinueshëm siç është edhe ndryshimi i kornizës negociuese për vendin.
I pyetur nëse kjo do të thotë se kërkohet një formë garancie që do të merret nga Bullgaria se nuk do të hapen çështje të mëtejshme dypalëshe në kuadër të procesit të integrimit evropian, ai theksoi se fokusi është të sigurohet finalizimi i këtij procesi.
“Nëse garancitë nga Bullgaria fqinje do të jenë nga ndonjë institucion apo do ta bëjmë në mënyrë dypalëshe, apo cila do të jetë forma, nuk është aq e rëndësishme, sa është thelbi. Ne si shtet dhe si Qeveri duhet të jemi të sigurt se ky proces do të përfundojë”, tha ministri Murtezani.