Site icon Telegrafi

Murtezaj: Vizioni i Kosovës është promovimi i paqes dhe avancimi i raporteve me NATO-n

Nën organizimin e Akademisë Diplomatike të Kosovës të MPJ-së dhe Qendrës Evropiane për studime të sigurisë George C. Marshall, është mbajtur sot seminari “Strategjia dhe siguria ndërkombëtare”.

Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, duke kujtuar faktin se Republika e Kosovës është anëtare e koalicionit global  kundër terrorizimit, ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në fushën e sigurisë ndërkombëtare duke bashkëpunuar me mekanizmat e sigurisë.

“Vizioni ynë është promovimi i paqes, i stabilitetit në rajon dhe avancimi i raporteve me NATO-n”, ka deklaruar Murtezaj.

Derisa ka theksuar progresin e arritur në sferën e sigurisë ndërkombëtare, ai ka përmendur faktin se përgjatë dhjetë muajve asnjë qytetar nga Kosova nuk ka marrë pjesë në luftërat e huaja e kjo është bërë e mundur falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky është një sukses që është bërë i mundshëm përmes komunikimit të ngushtë dhe bashkëpunimit me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe shtetet të tjera”, është shprehur Murtezaj, derisa ka falënderuar Qendrën Marshall për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e kapaciteteve me qëllim të përballjes së sfidave të sotme.

Për rëndësinë e sigurisë ndërkombëtare ka folur edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Weits.

Ajo në emër të shtetit të saj ka theksuar se në këtë kohë kur bota po përballet me sfida të ndryshme,  Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë integrimin evropian të Kosovës edhe në aspektin e sigurisë ndërkombëtare.

“Gjermania do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për integrimin evropian të Kosovës. Kjo nënkupton njëkohësisht integrimin në arkitekturën e sigurisë evropiane, ndërsa terrorizmi ndërkombëtar, shteti islamik, migrimi dhe ndryshimet klimatike janë disa nga sfidat globale, me të cilat po ballafaqohemi ne sot”, është shprehur ambasadorja Weits.

Nga ana tjetër, zëvendësshefja e misionit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, ka theksuar se krijimi i një bote të sigurt dhe paqësore është qëllimi i përgjithshëm, për të cilën SHBA-të do të vazhdojë të kontribuojë në këtë drejtim.

“Ne të gjithë jemi të angazhuar për të krijuar një botë më paqësore dhe të qëndrueshme dhe SHBA-të janë të përkushtuara për këtë, pasi që ofrimi i një ambienti të sigurt është çelësi kryesor për përmirësimin e kualitetit të jetës të të gjithë qytetarëve”, ka thënë Hyland. /Telegrafi/

Exit mobile version