Site icon Telegrafi

Murtezaj: Kosova ka plotësuar të gjitha detyrat për liberalizim të vizave

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj, gjatë pjesëmarrjes në forumin e lartë evropian në Vjenë, para të pranishmëve ka folur për rrugën e Kosovës dhe të arriturat e saj drejt integrimeve evropiane.

Në seminarin e zgjeruar të ministrave të Punëve të Jashtme dhe të liderëve të opozitës, organizuar nga Partia Popullore Evropiane (EPP), Murtezaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të plotësuar standardet evropiane.

Zëvendësministri Murtezaj është takuar dhe ka biseduar me shumë personalitete politike evropiane.

Duke folur për tema të rëndësishme që e preokupojnë Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, Murtezaj ka theksuar se Kosova ka plotësuar detyrat e saj që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë të udhëtojnë lirshëm dhe pa burokraci në kontinentin e tyre”, ka thënë Murtezaj.

Po ashtu, zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj, ka kërkuar që të vazhdohet përkrahja për Kosovën në procesin e njohjeve të pavarësisë, në radhë të parë te shtetet anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit i dhanë përkrahje të plotë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, duke vlerësuar lidershipin e treguar për përpjekjet në reformat e gjithëmbarshme në Kosovë.

Partia Popullore Evropiane (EPP) është familje politike e qendrës së djathtë, më e madhja në Parlamentin Evropian që nga fundi i viteve ‘90, e cila përfshinë në gjirin e saj parti të mëdha siç është Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë (CDU), etj. /Telegrafi/

Exit mobile version