Telegrafi

Murray akuzon Djokovicin se përdor doping

Tenisti britanik Andry Murray, numri 2 në botë, duket se ka gjetur arsyen se përse rivali i tij serb Novak Djokovic po dominon prej dy vitesh në tenis.

Murray ka hedhur dyshime, por pa përmendur emra të përveçëm, se tenistët mund të përdorin substanca të ndaluara për të mos ndjerë lodhjen e turneve të shpeshtë që zhvillohen sot.

Edhe pse nuk ka përmendur emrin e Djokovic, tenisti britanik lë të nënkuptosh se “akuzat” e lëshuara janë në adresë të serbit, që ka fituar thuajse në çdo turne ku ka marrë pjesë.
E menjëhershme replika e tenistit serb Novak Djokovic, që ka deklaruar se nuk është dakord me fjalët e Murray.

“Unë nuk ndaj të njëjtin mendim me Andy. Për sa kohë testet antidoping tregojnë se jemi të pastër, nuk ka asgjë të vërtetë. Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Andy dhe kam biseduar me të dhe më ka thënë se nuk ka asgjë kundër meje”.

“Thuhen shumë histori në tenis, por mendoj se antidopingu ka bërë punën e tij. Ne të gjithë duam ta mbajmë të pastër këtë sport”, u shpreh Djokovic, që dje u shpall “Sportisti më i mirë i vitit 2015”.