Site icon Telegrafi

Muriqi shënon gol të bukur për ta ndalur Realin, kampioni e nis sezonin e ri me barazim

Real Madridi e ka nisur me barazim sezonin e ri në La Liga, pasi nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë nga udhëtimi te Mallorca 1-1.

Ndeshja nisi më mirë për Real Madridin, që vetëm pas 13 minutave lojë krijuan epërsinë.

Vinicius Junior asistoi bukur te bashkëkombësi i tij Rodrygo i cili realizoi një gol të bukur për 0-1.

Reali arriti të krijoj edhe dy raste të mira shënimi në pjesën e parë, kur Rudiger dhe Mbappe rrezikuan, por pa arritur të shënojnë.

Kësisoj 45 minutat e para u mbyllën me epërsinë e kryeqytetasve me rezultat minimal 0-1.

Pjesa e dytë nisi më mirë për skuadrën vendase, ku në minutën e 53-të gjetën golin e barazimit.

Një harkim perfekt nga Daniel Rodriguez në zonë bëri që Vedat Muriqi të përgjigjet edhe më bukur duke shënuar me kokë për 1-1.

Një nisje perfekte e sezonit të ri për futbollistin kosovar që realizoi sërish ndaj Realit si vitin e kaluar në Santiago Bernabeu.

Los Blancos u hodhën në sulm për të barazuar rezultatin, ku krijuan dy raste të mira me Kylian Mbappen, por që francezi dështoi për të shënuar.

Muriqit iu ofrua një tjetër mundësi shënimi, por goditja e tij me kokë që u bllokua nga Ferland Mendy.

Mallorca ka mundur të fitoj ndeshjen pasi krijuan dy raste të arta shënimi në minutat 87′ dhe 89′ me Antonio Sanchez, por në të dyja rastet goditjet e tij ishin të pasakta.

Deri në fund përkundër se dy skuadrat kërkuan golin e fitores një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ndeshja u mbyll baras 1-1.

Në ndeshjen e ardhshme Mallorca e Vedat Muriqit luan në udhëtim te Osasuna, derisa Real Madridi para adhuruesve të vet prej Valladolidin. /Telegrafi/

Exit mobile version