Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur stërvitjen e radhës duke u përgatitur për duelin e rëndësishëm ndaj Rumanisë.
Sulmuesi kryesor i Dardanëve, Vedat Muriqi, ka shprehur besimin në sukses pas një jave punë intensive dhe përkushtimit të ekipit.
Ai beson se ekipi është gati për këtë sfidë dhe shpreson në fitore. Muriqi i ka vlerësuar ndeshjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë si shumë të rëndësishme për fatin e Dardanëve në kualifikimet për Euro 2024.
“Shumicën e përgatitjeve që është dashur t’i bëjmë tashmë i kemi bërë. Sonte e kemi edhe videoanalizën e kundërshtarit për të parë se si luajnë dhe çfarë taktike bazë e kanë”.
“Deri sot kemi ushtruar me intensitet, teksa nesër do të jetë një stërvitje më e lehtë. Jemi optimistë në radhë të parë, që besoj është më kryesorja, por edhe jemi lojtarë që punojmë shumë, prandaj shpresoj në trepikësh në ‘Fadil Vokrri’ para tifozëve tanë”.
“Këto pa dyshim janë dy ndeshje kruciale. Fillimisht kemi përballë Rumaninë, e cila ka katër pikë më shumë se ne dhe nuk mund të parashikoj situatë tjetër përveç tre pikëve”.
“Çdo rezultat tjetër mund të na shkatërrojë dhe të na shkaktojë dhimbje e po ashtu edhe një destabilitet siç e kemi pasur në kualifikimet e kaluara. Prandaj, është i domosdoshëm trepikëshi në radhë të parë me Rumaninë, e pastaj me Bjellorusinë në Budapest është histori tjetër”, tha Muriqi.
Ai ka një mesazh edhe për tifozët e zjarrtë të Kosovës, Dardanët, nga të cilët pret përkrahje maksimale.
“Mesazhi për ‘Dardanët’? Ata gjithmonë na kanë përkrahur, edhe kur s’kemi luajtur mirë apo kemi qenë të dobët. Stadiumi gjithmonë ka qenë i mbushur nga tifozët. Ata vetëm duhet të kenë durim dhe të na përkrahin deri në fund të ndeshjes. Me euforinë që do të na japin besoj se do të jenë një forcë shtytëse për ne”, ka theksuar Muriqi. /Telegrafi/