“Kosova Kid” deri te triumfi erdhi pas 8 raundeve të zhvilluara, ku në shumicën e tyre ishte më dominues karshi kundërshtarit të tij. Dy gjyqtarë e kanë vlerësuar meçin në të mirë të Muriqit, ndërkohë që ai i treti e ka vlerësuar përballjen të barabartë.
Boksieri nga Peja i është rikthyer misionit të tij, që të arrijë të sfidojë titullin e kampionit të botës, në njërin prej katër versioneve kryesore. Muriqi para këtij meçi kishte shprehur dëshirën që të kryqëzojë dorëzat me kampionin aktual të botës në versionin WBA (World Boxing Asociation), Beibut Shumenov dhe tashti pritet përgjigjja e boksierit nga Kazakistani, i cili deri më tashti ka zhvilluar 14 meçe, prej të cilave 13 i ka fituar dhe 1 e ka humbur.
Ndërkohë Muriqi aktualisht ka një bilanc prej 40 fitoreve dhe 5 humbjeve. Ky ishte meçi i parë i fituar për pejanin me promotues të ri, derisa herën e fundit ai ishte ngjitur në ring në dhjetor të vitit 2011, kur e kishte mposhtur amerikanin, Chris Grays. /Telegrafi/