Telegrafi

Muriqi: Jemi të rënduar fizikisht, por ndaj Qipros duhet fitore për ta nisur mirë

Vedat Muriqi ka folur nga stërvitja e Kosovës për ndeshjen e radhë dhe situatën e lojtarëve.

Ai ka theksuar se në një fazë të këtillë kur janë mbyllur sezonet në të gjitha kampionatet evropiane nuk është aspak e lehtë të luhen katër ndeshje radhazi me ekipin kombëtar, por është shprehur optimist për nismë të mbarë të ciklit të ri.

“Është e vështirë të luash katër ndeshje për 12-13 ditë, dhe kjo bëhet edhe më e vështirë kur kemi parasysh se është fundi i sezonit. Të gjithë futbollistët, jo vetëm te kombëtarja jonë, janë fizikisht dhe mentalisht pak më rëndë”.

“Por, pikësëpari shpresoj të mos kemi ndonjë lëndim dhe në radhë të dytë si gjithmonë forcën tonë kryesore – shpirtin luftarak do ta zbatojmë në fushë”.

“Do t’i tregojmë të gjithëve se këtu në Kosovë nuk është lehtë të marrin pikë. Shpresoj se do të kemi një cikël me rezultate pozitive. Në këtë nivel të futbollit nuk besoj që ka kundërshtar të lehtë”.

“Ndeshjen e parë e luajmë me Qipron dhe nëse ajo ka ardhur në këtë nivel duke e mundur Estoninë i bie që është ekip i mirë. Na pret një ndeshje jo e lehtë atje, por ne i dimë forcat tona dhe shkojmë për pikët e plota”.

“E dimë që nuk jemi favorit në grup, por me forcat tona që i kemi do të arrijmë aty ky synojmë”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të FFK-së./Telegrafi/