Portieri debutues i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muric, ka shprehur kënaqësinë për fitoren me rezultat 4-0 ndaj Azerbajxhanit në atë që ishte sfida vendimtare për kualifikim në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.
Të gjithë u befasuan me vendimin e Bernard Challandes, pasi trajneri i Kosovës la në stol kapitenin legjendar, Samir Ujkanin, për t’i dhënë besimit të riut, Arijanet Muric, i cili debutoi pikërisht në këtë sfidë vendimtare.
Dhe, Muric shfaqi paraqitje mjaft stabile duke mahnitur të gjithë me qetësinë e tij dhe ai u shpreh shumë entuziast për të ardhmen me përfaqësuesen e Kosovës.
“Ishte fitore e rëndësishme, jam i lumtur që jam këtu. Jam i lumtur për Kosovën, për ekipin, kemi bërë gjithçka për të fituar”.
“Është mirë që jam e ardhmja e Kosovës. Shoh përpara që të shkoj shumë larg me Kosovën dhe ndoshta një ditë do të arrijmë një sukses historik”.
“Nuk e di nëse më ka shikuar Guardiola. Shpresoj, por nuk e di”, u shpreh Muric pas ndeshjes.
Kosova zhvillon gjysmëfinalen ndaj Maqedonisë në mars të vitit 2020. /Telegrafi/