Site icon Telegrafi

Muret antike të Çukës

Në fshatin Çukë, pranë qytetit të Sarandës, ndodhen rrënojat e një monumenti antik, në vendin e quajtur Çumporë. Monumenti përbëhet nga një oborr i fortifikuar me blloqe trapezoidal, në qendër të të cilit ndodhet një strukturë katërkëndore me gjerësi 12 metra dhe disa shkallë të brendshme që dëshmojnë se ndërtesa ka qenë me dy kate.

Në sipërfaqe dallohen gjithashtu rrënoja ambientesh që i mbështeten murit të oborrit në pjesën lindore dhe veriore. Monumenti përmendet për herë të parë nga arkeologët L. M. Ugolini, N. G. L. Hammond dhe Dhimosten Budina, ndërsa një gërmim i pjesshëm arkeologjik i tij është kryer në vitet 1970 nga M. Dhima. Materiali i dalë nga gërmimi arkeologjik e daton monumentin rreth gjysmës së dytë të shekullit III p.e.s.

Monumenti ka një fazë të dytë zhvillimi në fillimet e periudhës romake, ku me sa duket sipërfaqja e ndërtimit zgjerohet.

Një studim më i kompletuar dhe një planimetri më e detajuar është kryer së fundmi nga projekti shqiptaro-italian që punon në parkun arkeologjik të Finiqit, nga arkeologët E. Giorgi dhe J. Bogdani.

Studimet e fundit tregojnë se ky sit arkeologjik është një fermë e fortifikuar, ndoshta pronë e një qytetari të pasur të kohës dhe ka pasur funksion ekonomik dhe jo ushtarak siç është interpretuar më parë. Ajo është njëra prej shumë fermave të fortifikuara, të identifikuara në territorin e Kaonisë.

Drejt këtij monumenti mund të shkohet duke u nisur nga qafa e Gjashtës për në Ksamil. /atsh/

Exit mobile version