Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, vlerësoi se letra e Presidentit amerikan Donald Trump dërguar presidentit Hashim Thaçi përbën një moment shumë cilësor në procesin e ngufatur të bisedimeve, si në raportet brenda vendit, ashtu edhe në ato me Serbinë e me BE-në.
Murati në një konferencë për media, tha e përfshirja e SHBA-së në këtë nivel, konsiston edhe në mundësinë e re që të dilet nga kornizat e deritanishme, të ngurta, të bisedimeve dhe të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për problemin.
“Lëvizja për Bashkim konsideron se ky moment i ri politik duhet të shfrytëzohet për t’i shtruar drejt për zgjidhje çështjet e mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Parimi i reciprocitetit do të duhej të qëndronte në themelet e zgjidhjes së këtyre çështjeve. Prandaj, Lëvizja për Bashkim e përshëndet këtë akt të Presidentit Trump dhe, duke shpresuar që procesi më në fund do të marrë kahjen e duhur, do të angazhohet maksimalisht që të japë kontributin e saj në këtë drejtim”, tha Murati.
Ai tha se parimi i reciprocitetit duhet të qëndrojë në themelet e zgjidhjes së problemeve të mbetura.
“Lëvizja për Bashkim konsideron se përfundim kryesor i këtyre bisedimeve duhet të jetë bërja e Kosovës shtet plotësisht funksional, përmes forcimit të sovranitetit të tij”.
“Bisedimet me Serbinë duhet të rezultojnë me ripërcaktim të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke u zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve: Shqiptarët në Kosovën Lindore, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kudo që janë shumicë dhe që kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën duhet t’i bashkohen Kosovës. Serbët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok duhet ta kenë të njëjtën të drejtë, aty ku janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale”, tha Murati.
Murati tha se duke e respektuar këtë parim fshatrat shqiptare të Leposaviqit: Ceraja, Koshtova dhe Bistrica, të Zveçanit: Zhazha, Boletini dhe Kelmendi, si dhe Çabra në Zubin Potok duhet të mbesin pjesë e Kosovës.
“Gjithashtu pjesë e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të jetë pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, prej ku në vitin 2000 janë dëbuar 12.000 shqiptarë; dhe me heqjen e privilegjeve bllokuese për pakicën serbe, të cilat i përmban Kushtetuta e Kosovës”, tha Murati, përcjell Telegrafi.
Ai tha se forcat politike parlamentare në Kosovë, si ato në qeveri, ashtu edhe ato në opozitë, janë duke u treguar tejet të papërgjegjshme, duke mos e trajtuar me seriozitetin e duhur momentin historik nëpër të cilin po kalojmë për të zgjidhur problemin shekullor shqiptaro-serb, përkatësisht atë të Kosovës me Serbinë.
“Duke mos i trajtuar seriozisht këto bisedime, duke e shndërruar këtë çështje në betejë elektorale ndërpartiake, ka rrezik serioz që ky moment politik, me interes jetik për kombin, ose të na shkojë krejt huq, ose të na prodhojë ndonjë zgjidhje të dëmshme për vendin. Pra, për shkak të kësaj papërgjegjësie, ky moment i rrallë politik, në vend të mundësisë për zgjidhje të problemit mund të shndërrohet në mundësi të thellimit të tij. Mundësia që shtetin ta bëjmë më funksional përmes forcimit të sovranitetit, mund të shndërrohet në mundësi për thellim të jofunksionalitetit përmes ruajtjes së privilegjeve bllokuese të pakicës serbe në Kushtetutën e vendit”, tha ai.
Më tej, Murati tha e Lëvizja për Bashkim, e nxitur edhe nga zhvillimet e fundit, u bën edhe një herë thirrje institucioneve të vendit dhe partive politike të dalin jashtë gëzhojës në të cilën janë barrikaduar përmes qëndrimeve të tyre, qoftë duke kufizuar opsionet për zgjidhjen e problemit, qoftë duke e bojkotuar procesin e zgjidhjes së tij.
“Është moment kyç që secili ta kuptojë seriozitetin e situatës. Përndryshe, siç e thotë edhe Presidenti Trump, “dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, tha ai./Telegrafi/