Kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se pandemia ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Murati ka thënë se qytetet në Kosovë futen në karantinë për shkak të urdhrit nga institucionet e Serbisë.
Sipas tij, pohimet për integrimin e veriut pandemia i shndërroi në përralla propagandistike
“Pas vitit 2008, asgjë më shumë se kjo kohë pandemie nuk ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës. Serbia dhe masat e ndërmarra prej saj janë ato që zbatohen edhe atje, përderisa pushteti jonë është gati inekzistent. Në territorin e Kosovës me rekomandime të institucioneve të Serbisë vendosen qytete të tëra në karantinë. Përrallat e integrimit të veriut (nga të gjitha qeveritë e deritanishme), më nuk mund t’i blej askush.
Komunat serbe në veri janë integruar aq sa i ka interesuar Serbisë dhe aq sa kurdo që të dojë ajo ta destabilizojë Kosovën përmes tyre. Të shpresojmë më të mirën për qytetarët e asaj pjesë si për të gjithë qytetarët e botës në këtë betejë kundër Covid-19, por kjo situatë edhe njëherë dëshmon për nevojën urgjente të zgjidhjes së problemeve me Serbinë përmes dialogut. Përndryshe ajo po krijon realitete të reja, dhe atë deri tek ura e Ibrit të cilat do të kenë pasoja afatgjata”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/