Ministri i Financave, Hekuran Murati, është zotuar se për 2024 komunat do të kenë mbështetje rekord me buxhet.
Sipas tij, kjo vjen si rezultat i efikasitetit të Qeverisë së Kosovës për të rritur të hyrat, të cilat pastaj mund të shpërndahen në formë të granteve për komunat.
“Ecuria e buxhetit të ndarë për komunat, nëpër vite, si dhe rritja vjetore”, ka shkruar Murati në Facebook, ku ka publikuar edhe një grafikë në të cilën është paraqitur buxheti që iu është ndarë komunave në katër vitet e fundit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, me një rritje të vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.
Ky projektbuxhet po kritikohet edhe nga opozita të cilët kanë deklaruar se është buxhet i subvencionimeve dhe jo i investimeve. /Telegrafi/