Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati, tha se njëra nga temat e diskutuara me Bankën Botërore gjatë takimeve vjetore në Washington DC, ishte edhe mundësia e mbështetjes nga ana e tyre për themelimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës.
Murati, në një postim në Facebook, tha se Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë siç janë energjia e ripërtërishme, bujqësia e sektorë të tjera.
“Mbështetja nga Banka Botërore parashihet të vijë në kuadër të projektit për avancimin e sektorit financiar në Kosovë, projekt i cili pritet të kap vlerën rreth 50 milionë euro. Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë siç janë energjia e ripërtërishme, prodhimi dhe eksporti, bujqësia etj”, ka shkruar Murati në Facebook.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ish-ministrja e Financave, ka ironizuar me ministrin e Financave, duke thënë se deri me 9 shkurt shumë gjana kanë me ndodhë në Facebook.
Kjo pasi ky i fundit ka thënë se themelimi i Bankës Zhvillimore po bëhet realitet, ndërsa Bajrami ka thënë se ‘pas ”Fondit Sovran” bëhet edhe ”Banka Zhvillimore”’.
“Mbahuni fort se prej sot deri me 9 shkurt shumë gjana kanë me ndodhë në facebook”, shkruan tutje Bajrami./Telegrafi/