Site icon Telegrafi

Murati: Do të ndihmojmë bizneset e prekura nga masat anti-COVID me pagesat e qirasë dhe pagat e punëtorëve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka thënë se do të dalin së shpejti me dizajnin e masave për të ruajtur ekonominë në Kosovë, me theks të veçantë ata tha se synojnë që të ndihmojnë bizneset me pagesat e qirave dhe pagat e punëtorëve.

Murati theksoi se e kanë për qëllim të ruajnë vendet e punës, por që prioritet është shëndeti i qytetarëve të vendit.

“Jemi të gatshëm që të qëndrojmë pranë vendimeve të Qeverisë dhe atyre të ministrit të Shëndetësisë. Jetët e njerëzve janë më të rëndësishme sesa ekonomia, fundi i fundit”, u shpreh Murati.

Murati theksoi se kanë takuar edhe përfaqësuesit e gastronomëve dhe se do të takohen prapë.

“Sa i përket masave që do të merren për të mbështetur bizneset që preken nga masat, kemi takuar përfaqësuesit dhe i kemi siguruar që mbështetja nuk do të mungoj. Ideja është të mbështeten qiratë dhe pagat e punëtorëve. Synimi jonë është të ruhet shëndeti ekonomik dhe vendet e punës. Shumë shpejt do të të marrim masa konkrete”, tha Murati.

Murati theksoi se gjatë ditëve në vijim do të takojë edhe njëherë përfaqësuesit e sektorëve të rpekur nga masat antiCOVID, dhe pastaj do të dalin konkretisht me masat ekonomike.

“Ditëve në vijim do të takojmë edhe njëherë përfaqësuesit e sektorëve dhe bashkë do të dakordohemi se cilat do të jenë masat. Ideja është subvencionimi i qirave dhe pagave, por prapë ka dallime sepse jo çdo sektorë është i njëjtë. Prapë ka dallime dhe ka specifika për secilin sektor. Të dhënat i kemi, do të bëjmë analizën dhe besoj që shumë shpejt, gjatë ditëve në vijim dalim me masa konkrete”, u shpreh Murati gjatë konferencës së përbashkët për medie që mbajti me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Nga masat e reja që kanë hyrë në fuqi janë prekur shërbimet e gastronomisë. Këto shërbime lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, po ashtu është ndaluar edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre./Telegrafi/

Exit mobile version