Site icon Telegrafi

Murati takohet me shefin e misionit të FMN-së, flasin për progresin që e ka arritur Kosova

Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës,  Ahmet Ismaili u takuan me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën,  David Amaglobeli.

Ministria e Financave ka njoftuar se ”përgjatë takimit prezantoi disa nga indikatorët ekonomikë dhe progresin që ka arritur Kosova”.

”Ndër të tjera, Ministri Murati përmendi edhe nivelin e ulët të borxhit publik. Nga ana e tij, Amaglobeli përgëzoi Kosovën për performancën e mirë makroekonomike, që reflektohet me rritje të ekonomisë përtej parashikimeve fillestare, dhe me shkallë inflacioni të ulët, e cila në shtator shënoi 0.4%”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Tutje, theksohet se palët vijuan diskutimet rreth projekteve dhe programeve aktuale, siç janë: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF) me Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe përmbushjen e rekomandimeve që derivojnë nga këto programe.

Palët vijuan takimin duke diskutuar mundësitë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen./Telegrafi/

Exit mobile version