Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar ndaj arrestimit të gjashtë turqve, banorë të Kosovës dhe ekstradimit të tyre në Turqi.
Përmes një statusi të postuar në llogarinë e tij Facebook, Murati ndër të tjera ka thënë se situata të tilla mund të na vendosin në pozita të rënda si shtet para çdo procesi politik në të ardhmen.
Ndërsa ka hedhur akuza edhe ndaj kryeministrit Hardinaj e kryeparlamentarit Veseli, të dy këta të cilat janë shprehur se nuk kanë dijeni për operacionin e kryer sot nga Policia e Kosovës.
Ky është postimi i plotë i Muratit:
Çka po ndodh kështu? Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli reagojnë për arrestimin dhe deportimin e gylenistëve duke lënë të nënkuptohet se nuk ishin fare në dijeni për këtë operacion.
I pari duket se ishte shumë pak i njoftuar edhe me situatën që solli ngjarjet dramatike të së hënës në veri.
Kjo është e paprecedentë. Situata të tilla anarkiste mund të na vendosin në pozita të rënda si shtet para çdo procesi politik në të ardhmen dhe vënë në pikëpyetje funksionalitetin e institucioneve.