Telegrafi

Murati i përgjigjet Ramës: Pretendimi se Prishtinës po i bllokohen investimet është joserioz

Ministri i Financave, Hekurat Murati i është përgjigjur pretendimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama për bllokim të të hyrave vetanake.

Sipas Muratit, pretendimi se kryeqytetit po i bllokohen investimet është joserioz.

“Deri në fund të muajit mars 2023, Komuna e Prishtinës ka arritur të realizojë vetëm 2 për qind të buxhetit prej 40 milionë euro për investime kapitale të parapara për 2023. Me këtë ritëm, vështirë që arrin ta tejkalojë 50 për qind të buxhetit, e lëre më të tejkalojë shifrën prej 40 milionë eurove. Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale”, thuhet në reagimin e Muratit.

Ai shton se neni 9.6 i buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake është rezultat i amendamentit të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Sa i përket Nenit 9.6 të Buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake, ai nen është rezultat i amendamentit nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Andaj, nëse Kryetari nga radhët e LDK-së mendon se ky nen qenka problemi, e ftoj që ta dërgojë në Kushtetuese amendamentin e LDK-së”, përfundon ai.

Lexo po ashtu Rama akuzon MF-në se po bllokon të hyrat vetanake: Veprim i qëllimshëm për të ndalur zhvillimin e kryeqytetit

Rama me anë të një reagimi në Facebook tregon se qytetarëve të kryeqytetit janë bllokuar 28.8 milionë euro, të parapara për 172 projekte kapitale.

“Si kryetar i kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, ka thënë Rama. /Telegrafi/