Site icon Telegrafi

Murati: Kemi mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike, mbështetja vazhdon sërish gjatë dimrit

Ministri i Financave, Herkuran Murati ka thënë se për 6 muaj me radhë, kanë mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.

Murati ka shkruar se familjet e cenushme kanë qenë pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, transmeton Telegrafi.

“Familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike. Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme. Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimrit”, shkruan Murati në Facebook.

Tutje, ai thotë se masa e pilotimit ka qenë e mbështetur financiarisht nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, në kuadër të mbështetjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike. /Telegrafi/

Exit mobile version